RAMA: DUHET TË JEMI GATI PËR BE-në SHUMË PËRPARA SE BE-ja TË JETË GATI PËR NE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një takim me ekipin kombëtar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ndërkohë në fjalën e tij ka theksuar se kanë fituar shumë nga koha e humbur padrejtësisht, duke iu referuar procesit të integrimit evropian të vendit.

Në takimin e realizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme shqiptare që janë pjesë e ekipit kombëtar të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij kryeministri Rama u fokusua te procesi i integrimit evropian, puna e ekipit negociator dhe çështje të tjera.

“Është vërtetë kënaqësi dhe është vërtetë një arsye për të pasur këtë nevojë që unë kisha për t’ju parë në sy dhe për t’u përulur me respekt përpara punës suaj, angazhimit tuaj dhe përpara gjithë energjisë që ju keni shpenzuar në këtë proces, ku vërtetë, jo thjesht keni provuar aftësitë, por keni dhënë një kontribut që mbase as vetë nuk e imagjinoni dot deri në fund për vendin tonë, për emrin e Shqipërisë, për flamurin shqiptar në sytë e shumëkujt”, u shpreh Rama, duke iu drejtuar anëtarëve të ekipit negociator.

Duke iu referuar edhe qëndrimeve të fundit të Greqisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë në lidhje me çështjen “Beleri”, Rama tha se për asnjë çështje të drejtësisë, nuk bëjnë asnjë lloj kompromisi me askënd dhe për asnjë arsye, duke shtuar për këtë çështje se “Ky mirëkuptim është shumë i qartë për ne, por nga ana tjetër besoj që është i qartë për të gjithë në BE. Ndërkohë që unë jam i bindur që me fqinjët tanë (Greqinë), ne do të arrijmë së bashku që të vendosim arsyet madhore mbi këtë çështje”.

Kujtojmë se çështja ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, që i përket minoritetit grek, Alfred Beleri, i cili akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe që ndodhet në paraburgim, solli në vëmendje qëndrimin e Greqisë në lidhje me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, ndërsa çështja në fjalë ka shkaktuar reagime në të dyja vendet.

“Sot ne jemi pjesë e pararojës për të mos thënë që jemi pararoja, por kemi fituar shumë nga koha e humbur padrejtësisht. E humbur padrejtësisht sepse na penguan padrejtësisht. Por ama ne vazhduam të përgatitemi dhe kjo është një nga shkaqet pse ne ishim kaq të gatshëm në këtë proces dhe pse ne kemi mundësi ta përshpejtojmë ende më shumë procesin. Ne duhet të jemi gati për BE shumë përpara se BE të jetë gati për ne. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë jo për BE, duhet ta bëjmë këtë jo për të dalë përpara të tjerëve në rajon, por duhet ta bëjmë këtë për ta sjellë sa më shpejt BE këtu për të bërë që në çdo sektor normat evropiane, masat ligjore evropiane, mënyra e të funksionarit evropian të instalohet këtu”, u shpreh Rama.

SHARE