RUBIO MOHON SULMIN E KOORDINUAR KIBERNETIK PAS NDËRPRERJEVE TË SHUMTA TEKNOLOGJIKE NË SHBA

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mohuar se ndërprerjet e shumta të shërbimeve teknologjike në SHBA gjatë javës së fundit janë të ndërlidhura ose rezultat i një sulmi të koordinuar kibernetik. “Ne nuk jemi nën sulm sistematik.

Këto ngjarje nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën”, deklaroi Rubio, duke theksuar se autoritetet nuk kanë prova për përfshirjen e sulmeve kibernetike apo aktorëve të huaj.

Problemet kanë prekur shërbimet e Microsoft-it dhe Apple-it, bankat kryesore, kompaninë ajrore United Airlines, si dhe një rrjet të klasifikuar të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA).

Ndër incidentet më serioze ishte ndërprerja për më shumë se katër orë e të gjitha fluturimeve në SHBA, për shkak të një problemi teknik në sistemet e aviacionit. Probleme të tjera shkaktuan vonesa në fluturime dhe vështirësi në shërbimet bankare e dixhitale.

Sipas autoriteteve amerikane, incidentet lidhen kryesisht me përditësimet teknologjike dhe pajisjet e vjetruara.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se infrastruktura dixhitale mbetet e cenueshme për shkak të sistemeve të vjetra dhe ndërvarësisë së lartë mes tyre.

Në një zhvillim tjetër, shërbimet gjermane të inteligjencës kanë paralajmëruar për një kërcënim hibrid afatgjatë ndaj Gjermanisë dhe Evropës, veçanërisht nga Rusia.

Sipas tyre, këto aktivitete synojnë destabilizimin dhe përçarjen e shoqërive demokratike, duke bërë të domosdoshëm forcimin e bashkëpunimit mes partnerëve vendas dhe ndërkombëtarë.

SHARE