KRYENEGOCIATOJA DHUKA: SHQIPËRIA GATI TË ÇELË TË TJERË KAPITUJ ME BE

Shqipëria nisi të martën negocimin për grupimin e parë të kapitujve me Bashkimin Europian duke u bërë vendi i parë kandidat që do të aplikojë metotologjinë e re të anëtarësimit.

Kjo do të thotë se 35 kapitujt nuk do të negociohen veç e veç, por të grupuar sipas sektorëve që ndërlidhen me njëri-tjetrin.

Po çka do të thotë kjo për grupin negociator, është një avantazh apo disavantazh ky për Shqipërinë?

Ministrja e Shtetit njëherësh kryenegociatorja me BE, në intervistën për Tv Klan jep një afat edhe më optimist se kryeministri Rama për të përmbyllur teknikisht të gjithë procesin e negocimit, i cili ka deklaruar me bindje se Shqipëria do të bëhet anëtare në 2030.

„Shqipëria është teknikisht e gatshme për të progresuar me një çelje të një numri kapitujsht të tjerë që tani dhe po i konsolidon. Ne po i përshpejtojmë reformat kryesore përmes këtij plani reformash për të pasur rezultatet kryesore dhe më të rëndësishme edhe më herët, në vitin 2027. Por përsa i përket të gjithë kapitujve dhe kritereve Shqipëria e ka bërë planin që të përmbushë kriteret për anëtarësim deri në vitin 2030,“ thotë ajo.

Paralelisht me procesin e negocimit, BE ju ka dhënë mundësi vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe pse nuk janë anëtare të përfitojne nga fondet e Brukselit përmes Planit të Rritjes.

Kryenegociatorja zbulon dhe pjesën që do përfitojë Shqipëria prej planit prej 6 miliardë Eurosh dhe ku do të investohen këto para. Por një kriter i rëndësishëm përveç atij ekonomik që Shqipëria do duhet të përmbushë është dhe kriteri politik, që për kryenegociatoren edhe pse pamjet që ofroi Parlamenti dje nuk janë shumë shpresëdhënëse mendon që do të punojnë së bashku me opozitën për të plotësuar dëshirën e 95 përqind të shqiptarëve që e duan BE.

Një pjesë e madhe e vendimeve të rëndësishem në lidhje me reformat e vendit janë marrë me vendime të përbashkëta, kështu që unë besoj që edhe pozita edhe opozita do të punojnë përsëri bashkë kur vjen fjala për vendime të rëndësishme për ta çuar vendin në familjen europiane,“ theksoi kryenegociatorja.

SHARE