Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, deklaroi se procesi i integrimit evropian ka mbështetjen e gjerë si të shumicës parlamentare, ashtu edhe të opozitës, pavarësisht dallimeve politike.
Ai theksoi se mbyllja e kapitujve 29 – Unioni Doganor dhe 8 – Konkurrenca rrit besimin e investitorëve dhe forcon konkurrencën, duke shtuar se ngadalësimi i procesit të integrimit nuk është një opsion.
Sipas Camajt, edhe Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm për konsensusin politik që ekziston në Mal të Zi sa i përket anëtarësimit në BE.
“Shumica dhe opozita janë të përkushtuara ndaj këtij procesi. Pavarësisht mospajtimeve politike që shfaqen herë pas here, për çështjet evropiane ekziston përgjegjësi dhe unitet më i madh, që pasqyron edhe pritjet e qytetarëve”, u shpreh Camaj.
Ai shtoi se, për këtë arsye, nuk sheh asnjë arsye që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasjen e tij në një mënyrë që do të dëmtonte pritjet e Malit të Zi për avancimin drejt anëtarësimit.










