PE-ja MIRATOI RAPORTIN: NEVOJITET NJË QEVERI E QËNDRUESHME

Deputetët e Parlamentit Evropian (PE) miratuan raportin për Malin e Zi, të autorizuar nga raportuesi i PE-së Tonino Piculla.

Kështu u miratua amendamenti i tij për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

Nga gjithsej 633 deputetë, pro votuan 529, kundër 51, ndërsa abstenuan 53 deputetë.

Parlamenti Evropian ftoi Malin e Zi që të tejkalojë ndasitë politike dhe të përparojë në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se kriza aktuale politike ia ka humbur një vit të tërë këtij shteti kandidat për Bashkimin Evropian.

Mali i Zi ka mbështetur të gjitha sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe PE-ja kërkoi që kjo të vazhdojë, pavarësisht se në Mal të Zi ka forca politike që kanë qëndrime pro-ruse.

Po ashtu, në rezolutë është përmendur edhe shqetësimi për ndërhyrje nga Kina dhe Serbia në çështjet e brendshme të Malit të Zi.

Deputetët e Parlamentit Evropian përmes këtij raporti kanë kërkuar që Mali i Zi të përshpejtojë procesin e reformave, sidomos ato që janë të nevojshme për procesin e integrimeve në BE, siç janë reformat në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

SHARE