OPOZITA FITON RAUNDIN E PARË TË ZGJEDHJEVE VENDORE NË RMV

Opozita e VMRO-DPMNE është fituese e raudit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut që u mbajtën të dielë e 17 Tetorit. Nga 32 komuna ku është përcaktuar fituesi, forca kryesore e opozitës që drejtohet nga Hristijan Mickoski ka mundur të sigurojë fitoren në 19 prej tyre. Nga ana tjetër LSDM-ja e Zoran Zaev deri më tani ka siguruar një rezultat zhgënjyes pasi sipas të dhënave jo përfundimtare kjo forcë ka marrë vetëm 9 komuna, ndërsa kryeson në balotazhin për Shkupin. Sa i përket faktorit politikë shqiptar deri më tani vetëm BDI e Ali Ahmetit ka mundur të fitojë tre komuna që në raundin e parë. Një komunë ka mundur ta fitojë edhe Partia Demokratike turke. Ndërkohë që sipas rezultatit paraprak 42 komuna të tjera do të shkojnë në balotazh. Por pavarësisht këtyre rezultateve, të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë folur për sukses në zgjedhje. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, pas mbarimit të zgjedhjeve në një paraqitje para mediave theksoi se partia e tij së bashku me aleatët do të fitojnë bindshëm në balotazh. “Jam i bindur se do të kemi më shumë kryetar komunash se VMRO-DPMNE-ja, prandaj nuk kemi pse të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ne udhëheqim bindshëm në më shumë se 36 komuna dhe në qytetin e Shkupit. Së bashku me aleatët e tjerë do arrijmë t’i fitojmë bindshëm edhe këto zgjedhje”. Ndërsa lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski në një dalje për mediat të dielën në mbrëmje shpalli fitoren e zgjedhjeve, ndërsa tha se nuk ishte koha për festë por për të filluar punën menjëherë. Kreu i Bashkimit Demokrtatik për Integrim, Ali Ahmeti përmes komenti ne rrjetet sociale ka folur për fitore. “Përgjegjësinë që ma ngarkoni mbi supe me besimin tuaj e konsideroj si bekim dhe shtytje për të bërë edhe më shumë, edhe më mirë. Jemi bashkë në këtë rrugëtim dhe çdo hap do ta ecim bashkarisht me të gjithë qytetarët. Kjo fitore është e juaja, e të gjithë qytetarëve”. Ndërkohë që edhe dy partitë e tjera shqiptare që drejtohen nga Ziadin Sela dhe Bilal Kasemi kanë shprehur besimin se do të kenë një rezultat më të mirë në raundin e dytë të votimeve.

SHARE