Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se shpreson që deri në fund të tetorit Ligji për Qeverinë të jetë para deputetëve.
Në konferencën për media, pas takimit me përfaqësues të Komisionit të Venecias (KV) lidhur me ligjin për Qeverinë, Dukaj tha se nuk kanë pasur vërejtje që do të ndikonin dukshëm në strukturën e Projektligjit.
Ai deklaroi se ka marrë ftesë për të marrë pjesë në seancën e rregullt të Komisionit të Venecias më 6 dhe 7 tetor.
“Shpresoj që ky ligj të jetë para deputetëve deri në fund të tetorit. Në bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe partnerët përkatës, do të organizojmë një debat tjetër publik të organizuar nga Ministria e Administratës Publike dhe Shoqata e Avokatëve”, tha Dukaj.
Përfaqësuesja e MAP, Enesa Hasanagiq Katana, tha se komentet e ekspertëve nuk do të ndikojnë dukshëm në paraqitjen dhe ndërtimin e Projektligjit, i cili është dërguar për mendim.
“Ligji duhet të rregullojë çështjet më të rëndësishme të funksionimit të vetë qeverisë, organizimin e saj, mandatin dhe çështje të tjera”, tha Hasanagiq Katana.