ZJARRET RREZIKOJNË QYTETIN NË KANADA, GARË ME KOHËN PËR EVAKUIMIN E BANORËVE

Zjarret e fuqishme pyjore e kanë shtrënguar darën e tyre rreth njërit prej qyteteve më të mëdha në veri të Kanadasë, Yellowknife ku autoritetet janë vënë në garë me kohë për evakuimin e banorëve të rrezikuar.

Banorët janë urdhëruar të largohen deri pasditen e sotme, por gjërat në terren nuk duken dhe aq të thjeshta. Edhe pse pritën në radhë të gjata, një pjesë e tyre janë kthyer mbrapsht sepse nuk kishte vend në fluturimet e evakuimin, dhe u është kërkuar të kthehen nesër, kërkesë kjo që shkaktoi mjaft zemërim.

Zyrtarët vendas u thanë se nga Yellowknife nuk largonin dot nga ajri më shumë se 400 vetë, në një kohë kur në këtë mënyrë prej andej duhet të zhvendosen të paktën 5 mijë vetë. Kushtet e pafavorshme meteorologjike duket se e kanë komplikuar situatën akoma edhe më shumë.

Kriza në këtë qytet shënon një tjetër kapitull të vështirë në përballjen e Kanadasë me zjarret pyjore. Aktualisht, në këtë vend janë aktive më shumë se 1.000 zjarre në pyje, përfshirë 230 në territoret veriperëndimore, teksa Kanadaja, dhe një pjesë e mirë e botës, regjistrojnë të nxehtë ekstrem.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka thënë në platformën X, të njohur më parë si Twitter, se Otava do të ndihmojë “si të mundet”. Erërat e forta besohet t’i kenë ushqyer zjarret, prej të cilave tashmë janë evakuuar edhe plotë qyteza tjera në Kanada.

SHARE