Mbrëmë në Qendrën Kulturore Informative “Malësia” në Tuz, u hap ekspozita e parë individuale e piktorit të ri nga Malësia, Kolë Bojaj. Kolë Bojaj, për herë të parë u paraqit para publikut me ekspozitën e pikturave të tij, të krijuara në kohë dhe në vende të ndryshme. Kola gjatë shkollimit të tij ka treguar talent veçanërish për artin figurativ, por edhe për shumëçka tjetër, falë dashurisë për këtë lloj arti dhe vullnetit të madh për të arritur sa më shumë. Për ekspozitën në fjalë foli njohësi i punës dhe talentit të piktorit të ri, z. Andi Hila, i cili e ka përcjell punën e Kolës dhe ka ndihmuar në ngritjen e tij si piktor, i cili me talentin e tij premton se së shpejti në mjedisin tonë do të kemi një piktor me emër nga Malësia. Të pranishmit në shenjë respekti e falënderimit i përshendeti edhe vet autori, Kolë Bojaj. Ndërkaq, këtë ekpozitë e shpalli të hapur kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj. Një numër i madh i qytetarëve të pranishëm në këtë ekpozitë i shikuan me vëmendje pikturat e piktorit, Kolë Bojaj, i cili shpreh bindjen se do të bëjë emër në artin figurativ pamor.