PLENKOVIQ: E KUNDËRSHTOJ FUQISHËM MIRATIMIN E REZOLUTËS PËR JASENOVAC

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq përsëriti se kundërshton fuqishëm miratimin e Rezolutës për Jasenovac në Parlamentin e Malit të Zi.

Ai ka biseduar me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

“Gjatë bisedës me Milatoviq, shpreha fuqishëm kundërshtimin tim ndaj miratimit të rezolutës për Jasenovac në Parlamentin e Malit të Zi. Rruga evropiane e Malit të Zi nënkupton respektimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka shkruar Plenkoviq në Rrjetin X.

Të rikujtojmë se pas rezolutës së miratuar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka shprehur keqardhje.

“Na vjen keq që Mali i Zi ka vendosur të injorojë thirrjet e Republikës së Kroacisë për të mos politizuar viktimat e Jasenovacit dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi”, thuhet në deklaratën e ministrisë kroate asokohe. Millatoviq kishte thënë asokohe se reagimet e Kroacisë në lidhje me miratimin e Rezolutës për Jasenovac në Parlamentin malazez duhet të merren seriozisht. “Aktorët politikë duhet të sillen më me përgjegjësi”, theksoi ai.

SHARE