RAMA: NJË HAP I RI NË TRANSFORMIMIN DIGJITAL TË SHËRBIMEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI

Është rikthyer në funksion platforma e shërbimeve digjitale e-Albania, pas një ndërprerjeje dyditore të shkaktuar nga disa ndërhyrje dhe përmirësime teknike në sistem.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale një video ku prezantohen risitë e platformës së përditësuar, duke theksuar se e-Albania 2.0 shënon një hap të ri në transformimin digjital të shërbimeve publike në vend.

Sipas tij, platforma e re vjen e ridizajnuar mbi një infrastrukturë tërësisht të modernizuar, me qëllim ofrimin e një përvoje më të shpejtë dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.

Ai ka shtuar se e-Albania 2.0 është ndërtuar me teknologji të avancuara dhe standarde moderne të performancës, duke sjellë një nivel më të lartë aksesueshmërie dhe gjithëpërfshirjeje.

Platforma, sipas tij, mundëson përdorim më të lehtë edhe për personat me aftësi të kufizuara, duke synuar një shërbim publik digjital pa barriera dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.

SHARE