Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një udhërrëfyes të thjeshtë për amvisat dhe dashamirësit e mishit të gatuar në mënyrë të shkëlqyer dhe mbi të gjitha të butë.
Mishi Duhet Rrahur
Nëse mishin e pulës, viçit, apo biftekun e hidhni direkt në skarë, tigan apo tavë, pa e rrahur më parë, atëherë ai do të dalë i thatë.
Rrahës i mishit në formën e çekiçit është një pajisje që nuk duhet të mungojë në kuzhinën e një amviseje.
Ai duhet përdorur për të rrahur mishin e viçit, derrit apo shpendëve dhe ka si funksion shpërbërjen e fibrave të muskujve të shtazëve dhe shpendëve të cilët janë përgjegjëse për fortësinë e mishit.
Nëse nuk ju gjendet rrahësi i mishit mund të përdorni një petës apo një enë të rëndë, sigurisht të pastër.
Përveç rrahësit, amvisat duhet të sigurohen që prerjen e mishit ta bëjnë në drejtim të kundërt me fijet muskulare që mishi të kafshohet lehtë dhe të jetë i butë.
Mos Harro Marinimin
Marinimi ndihmon në shpërbërjen e proteinave dhe fibrave të forta para se mishi të gatuhet.
Ky është një hap thelbësor për një mish të gatuar më së miri.
Marinimi i mishit të viçit, shpendëve apo derrit, e bën mishin më të butë dhe shumëfishon aromën.
Marinimi duhet bërë me përbërës acidikë siç është uthulla, lëngjet e agrumeve, kosi, xhenxhefili apo edhe ananasi.
Këto përbërës do të bëjnë që mishi i gatuar të jetë i butë në kafshim dhe në shije.
Mishi duhet të marinohet për të paktën një orë dhe maksimumi gjithë natën.
Ai duhet ruajtur në frigorifer dhe kurrë në temperaturë ambienti që të shmanget shumimi i baktereve të dëmshme.
Mënyra e Gatimit Ka Shumë Rëndësi
Mënyra e gatimit ka shumë rëndësi dhe është në varësi të llojit të mishit.
Biftekët dhe bërxollat mund të gatuhen në skarë ose në furrë ndërkohë që nëse mishi është në copa të vogla, mënyra më e mirë është zierja, kaurdisja dhe tiganisja.
Mishi i marrë nga një zona e shpatullës apo kraharorit përmbajnë më shumë fibra dhe kanë nevojë për më shumë kohë që të përgatiten.
Në këtë aspekt edhe temperatura ka shumë rëndësi.
Temperatura Minimale Për Gatimin e Mishit
Mishi i grirë i viçit, derrit dhe qengjit ka nevojë për një temperaturë minimale prej 71 gradë celcius.
Mishi i pulës dhe gjelit të detit ka nevojë për një temperaturë minimale prej 75 gradë celcius
Copat e mishit të freskët të viçit, derrit dhe qengjit kanë nevojë për një temperaturë minimale prej 65 gradë celcius.
Këshilla e fundit, por jo për nga rëndësia, është që pas gatimit, mishi duhet lënë të ftohet lehtë dhe më pas të prihet në feta apo copa.
Në këtë mënyrë, lëngjet e brendshme nuk do të derdhen në pjatë dhe mishi nuk do të jetë i thatë.