ME HAPJEN E QENDRAVE KLINIKE NË KOTORR DHE BERANE, QYTETARËT DO TË KENË SHËRBIM MË TË SHPEJTË DHE MË TË MIRË

Shndërrimi i spitaleve të përgjithshme në Kotorr dhe Berane në qendra klinike-spitalore përmirëson kujdesin shëndetësor dhe i bën shërbimet ndaj qytetarëve më të shpejtë dhe më të mirë, tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në konferencën për shtyp ai theksoi se për herë të parë në Mal të Zi hapen qendra klinike-spitalore jashtë Podgoricës.

“Ne do të mundohemi të krijojmë një shpërndarje të vogël dhe falë Ministrisë së Shëndetësisë, më lejoni të përmend se tashmë janë realizuar investime të shumta – ka përfunduar rinovimi i gjashtë autoambulancave, dhe pesë të tjera do të përfundojnë në një periudhë të shkurtër kohore”, tha Abazoviq.

Me qendrat e reja spitalore, siç theksoi kryeministri, shëndetësisë i është dhënë prioritet sa i përket punës së Qeverisë.

“Mali i Zi tani ka tre qendra klinike-spitalore. Ndërsa ndërtojmë spitale, do të jetë e mundur të punësojmë specialistë dhe kështu të përmirësojmë kujdesin shëndetësor,” tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Dragoslav Shqekiq, tha se po bëhet decentralizimi dhe mundëson kujdes më të shpejtë shëndetësor.

“Është domethënëse që tashmë kanë filluar investimet dhe se në gjashtë muajt e ardhshëm do të përfundojnë anekset për angiosalmet, tashmë janë vënë në funksion mamografitë…“

Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Dritan Abazoviq ka treguar përgjegjësi serioze ndaj sistemit shëndetësor.

“Më shumë se 160 specialistë dhe subspecialistë po vijnë shumë shpejt, gjë që do të forcojë ndjeshëm sistemin tonë. Këtë vit vendosëm për 200 specializime të tjera dhe një numër shtesë të subspecializimeve, që do të thotë se edhe në ato qendra do të kemi një numër të konsiderueshëm të kuadrove cilësore”, ka thënë Shqekiq.

SHARE