GJELOSHAJ: DERI NË FUND TË MUAJIT NË KËSHILLIN SOCIAL PËR HYRJEN NË FUQI TË DITËS SË DIELË DITË PUNE

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj e tërhoqi nga rendi i ditës së seancës së Këshillit Social pikën që lidhet me prezantimin e ditës së dielë ditë pune.

Siç tha ai për TVMZ, deri në fund të muajit do të mbahet seancë me vetëm atë pikë të rendit të ditës. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përgatitur ndryshime në Ligjin për Tregti të Brendshme, me të cilat planifikohet të rifutet dita e dielë ditë pune nëpër dyqane gjatë pesë muajve të sezonit.

Pas më shumë se katër vitesh, nga 1 qershori deri më 31 gusht dhe nga 1 dhjetori deri më 31 janar, qytetarët do të mund të bënin sërish pazar të dielave.

Sipas propozimit të Ministrisë, të dielave në çdo qytet do të punonte një dyqan i rrjetit tregtar me një turn, ndërsa orari i qendrave tregtare do të ishte nga ora 10:00 deri në 18:00.

Punëtorët që punojnë të dielave do të kenë rritje të pagës ditore prej 80 për qind dhe të drejtën për një ditë shtesë pushimi.

Zgjidhje të tilla janë të pranueshme për punëdhënësit, dhe nga Shoqata e Sindikatave të Lira thonë se iniciativa është paraqitur para opinionit pa dijeninë e tyre dhe se këtë herë do të jenë më të zgjuar të kërkojnë nga Qeveria një deklaratë, e pastaj të japin mendimin e tyre në Këshillin Social.

SHARE