OSMANI KËRKON NDIHMËN E SHBA-së PËR ANËTARËSIMIN E KOSOVËS NË NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një letër dërguar presidentit amerikan, Joe Biden, se integrimi euro-atlantik i Kosovës është prioritet kyç i sigurisë kombëtare. Letra, e cila është siguruar të enjten, më 17 mars, mban datën e 10 marsit. “Evropa është duke u përballur me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Teksa ndajmë synimin e përbashkët për mbrojtje dhe promovim të sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë domosdoshmëri. Argumentet kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO shpërfillin këtë nevojë për siguri në Ballkanin Perëndimor dhe nuk shërbejnë në interes të botës së lirë demokratike, e cila është duke u rrethuar nga tendenca autoritare dhe politikat e tyre agresive”. Sipas Osmanit, Kosova e ka dëshmuar disa herë pse e meriton të jetë pjesë e Aleancës veri-atlantike dhe ka përmendur se Kosova është shteti më pro-amerikan dhe më pro-NATO në botë. Ajo ka thënë se beson që SHBA-ja do të shfrytëzojë lidershipin dhe ndikimin që ka për të mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, duke nisur nga programi i Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimi i plotë në Kartën e Adriatikut. “Ndonëse të gjithë sytë janë drejtpërdrejt në luftën shkatërruese në Ukrainë, ne nuk duhet ta humbim vëmendjen ndaj situatës së brishtë në Ballkan. Ne jemi të ekspozuar nga përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe për të destabilizuar gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ndër tjerash Osmani.

SHARE