ABAZOVIQ: INVESTIME REKORD VITIN E KALUAR

Investimet e huaja direkte në Mal të Zi vitin e kaluar arritën vlerën rekord prej 1.15 miliardë eurosh, bëri të ditur kryeministri Dritan Abazoviq.

“Lajm i mirë – investimet e huaja direkte bruto vitin e kaluar arritën në 1,15 miliardë euro, ndërsa investimet e huaja direkte neto arritën në 782 milionë euro, që është nivel rekord që nga viti 2006, nëse përjashtojmë vitin 2009, kur u shit Elektroekonomia,” shkruan Abazoviq në Twitter.

Ai ka thënë se është veçanërisht krenar që investimet nga Gjermania, lokomotiva e Bashkimit Evropian (BE), kanë kaluar 100 milionë euro.

“Duhet të përmendim edhe nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të investimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), partneri ynë strategjik, 48 milionë euro, si dhe 98 milionë euro nga Zvicra”, ka thënë Abazoviq.

Ai beson se këto të dhëna tregojnë se qeveria i ka hapur rrugën rimëkëmbjes së plotë ekonomike të vendit.

“Pas rritjes së eksporteve, sezonit të suksesshëm turistik, rritjes së punësimit dhe standardit jetësor të të gjithë qytetarëve malazezë, kemi besim rekord të investitorëve të huaj, veçanërisht nga vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA-së”, përfundoi Abazoviq.

SHARE