E GJITHË EVROPA NËN BORË / KAOS NËPËR RRUGË NË GJERMANI, NGRIN VERIU I KONTINENTIT

Reshje të dendura bore dhe acari i madh kanë penguar transportin ajror, hekurudhor dhe me automjete në të gjithë Gjermaninë, për të dytën ditë radhazi.

Në aeroportin e Frankfurtit, qendra më e madhe e udhëtimeve në Gjermani, më shumë se 300 nga thuajse 1 mijë ardhjet dhe nisjet e planifikuara u anuluan në mëngjes.

Trenat për në dhe nga Parisi u anuluan sërish me operatorin gjerman të hekurudhave, Dojce Ban që tha se edhe të tjera udhëtime me trena do të preken dhe se vonesa dhe anulime nuk do të mungojnë, në varësi të kushteve të motit.

Bllokime trafiku pati në të gjitha autostradat në Gjermaninë qendrore, sipas policisë, e cila tha se pastrimi i rrugëve do të marrë disa orë dhe i kërkoi drejtuesve të mjeteve të evitonin udhëtimet e panevojshme.

Sipas mediave lokale, drejtuesit e mjeteve në rajon mbetën të bllokuar në radhë kilometra të gjata për orë të tëra, mbrëmjen e të mërkurës, dhe autoritetet morën masa që ti furnizonin ata me pije të ngrohta ndërsa Kryqi i Kuq ndau batanije.

Shërbimi gjerman i motiot paralajmëroi se më shumë reshje bore priten gjatë ditës, me rreth 15 centimetra të parashikuara në disa pjesë të Gjermanisë lindore.

Ndërkohë nuk do të mungojnë edhe stuhitë.

Bora ka mbuluar edhe Francën, duke shkaktuar edhe atje probleme në qarkullim, por reshje janë regjistruar edhe në vende të tjera të Evropës veriore.

Në disa vende autoritetet kanë këshilluar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi për shkak të kaosit në rrugë dhe transportit publik të ndërprerë.

Danimarka, Norvegjia, Belgjika e Luksemburgu po ashtu janë në alarm të kuq për shkak të borës, shiut të acartë dhe kushteve të vështira të motit.

SHARE