SONTE, PROTESTA E DYTË E LËVIZJES “JEMI KËTU”, PARA KUVENDIT NË PODGORICË

Sonte do të mbahet protesta e dytë e lëvizjes “Jemi këtu”, në platon para Kuvendit të Malit të Zi. Në protestën e parë qytetarët kërkuan tërheqjen e ndryshimeve të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, marrëveshje për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Nga Lëvizja, është bërë e ditur se qytetarët, duke marrë pjesë në protestën e parë, treguan se nuk do të lejojnë rrëzimin e rendit kushtetues të shtetit dhe bllokimin e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Me mbi dhjetë mijë nënshkrime në mbështetje të peticionit të qytetarëve, ata qartësuan se duan zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat i shohin si të vetmen rrugëdalje nga kriza e thellë në të cilën ndodhet vendi ynë”, thuhet në kumtesë.

SHARE