Një ëmbëlsirë e lehtë, e thjeshtë në përgatitje e cila të përfshin tërësisht me shijen e saj.
Shampitja është një ëmbëlsirë që vjen nga tradita kosovare, ajo gjendet në çdo ëmbëltore të Kosovës por njëkohësisht është specialitet që amvisat e gatuajnë shpesh në shtëpi.
Kjo ëmbëlsirë e veçantë konsumohet në çdo kohë të ditës dhe është fantastike për t’u përgatitur sidomos në raste festash dhe gëzimesh familjare.
Përbërësit e saj janë të thjeshtë por shija tërësisht magjepsëse. Kombinohet në mënyrë fantastike me fruta të ndryshme sidomos me luleshtrydhe.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së Shampites krejt lehtë në shtëpi, një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.
Përgatitja e Shampites në Shtëpi
Përbërësit
6 të bardha veze
350 gr sheqer
Një filxhan i vogël me ujë
Për petën
6 të verdha veze
6 lugë sheqer
6 lugë miell
6 lugë qumësht
6 lugë vaj (për një gatim të shëndetshëm, AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit)
Gjysmë luge çaji me pluhur pjekjeje (e gjeni në supermarkete)
Përbërësit
Si fillim përgatisim pandispanjën. Shtojmë në një tas të verdhat e vezëve dhe sheqerin dhe i kalojmë në mikser derisa masa të njëtrajtësohet dhe sheqeri të shkrijë plotësisht.
Në po të njëjtin task u kemi vezët shtojmë qumështin, miellin, vajin dhe pluhurin e pjekjes.
Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që të shtroni një letër pjekjeje në tepsi, të hidhni në të masën e përgatitur dhe më pas ta fusni në furrë të parangrohur me 180 gradë.
Ndërkohë përgatisim pjesën kremoze të ëmbëlsirës.
Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe e lëmë në zjarr derisa sheqeri të shkrihet dhe sherbeti të jetë i trashë.
Më pas, në një tjetër enë hedhim të bardhat e vezëve dhe duke i rrahur shtojmë sherbetin duke e përzier pa ndërprerje masën në mikser derisa masa të marrë trajtën e një shkume të fortë të bardhë.
Pasi të jetë pjekur peta e pandispanjës shtojmë mbi të shkumën me vezë e sheqer dhe e lëmë në furrë të piqet edhe 5 minuta. Më pas e largojmë nga furra dhe e shërbejmë të ftohtë./AgroWeb.org