Kamomili për Qetësimin e Mendjes dhe Organizmit

Më do, s’më do. Më do, s’më do. Më do. S’më do. Po mirë s’më do, po pij një filxhan çaj të qetësohem.

Ngjason, por nuk është as lule margarita, e as një luledele. Shumë e përdorin për të shpëlarë flokët bjondë. Të tjerët si çajin e preferuar për gjumë të qetë në darkë.

Kaq. Po pra, po, ai, kamomili. Lulja e bukur, shpëtimtari i flokëve bjondë, miku më i mirë i netëve të qeta, apo trajtimi natyral që thonë se rinon lëkurën.

Një prej bimëve mjekësore më të vjetra, kamomili mendohet se është përdorur fillimisht nga Egjiptianët e lashtë.

Sot gjendet në dy forma të ndryshme, të përdorura për qëllime mjekësore, Kamomili gjerman (chamomilla recutita) dhe Kamomili romak (chamaemelum nobile).

Kjo lule që i përngjason diellit, është ndër më të përdourat dhe më të studiuarat nga mjekësia moderne.

Sipas studimeve mjekësore, më shumë se një milionë filxhanë me çaj kamomili konsumohen çdo ditë në të gjithë botën.

Jo më kot kamomili është një nga çajrat më popullorë edhe në Shqipëri. I kombinuar me qumësht apo me pak mjaltë, çaji i kamomilit ngroh gjithë organizmin ndërsa fal qetësi mendore dhe shpirtërore.

Sidomos kur konsumohet gjatë darkës, ky çaj ka aftësinë të ndihmojë trupin dhe organizmin të shlodhet, e të bëhet gati për një gjumë të rehatshëm e të qetë.

Kamomili shqiptar është një nga bimët mjekësore më të fuqishme si pasojë e klimës dhe cilësisë së tokave ku rritet në gjendje të egër.

Kultivari mbetet po ai historik që kërkohej shumë nga tregjet e huaja edhe në vitet kur tregtia me jashtë ka qenë në krizë të plotë.

E sjell gjumin sa hap e mbyll sytë…

Çaji i kamomilit dhe vajrat që kanë si përbërës këtë bimë përdoren gjerësisht për vetitë e tyre qetësuese. Megjithatë efektiviteti i kamomilit si një ndihmës për gjumin ende nuk është provuar shkencërisht. Por është provuar se përbërja kimike e kamomilit ka veti qetësuese.

Për një frymëmarrje më të qetë gjatë ftohjes

Nuk mund të themi se kamomili është një kurë për ftohjet, por ai mund të qetësojë ndjeshëm shqetësimet e shkaktuara nga simptomat.

Studime paraprake tregojnë se thithja e avullit që përmban ekstrakte kamomili zbut problemet e shkaktuara nga infesksioni i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Kamomili përmban elementë anti-inflamator, të cilat mund të shpjegojnë këtë efekt pozitiv.

Stres? Çfarë stresi?

Konsumoni kamomil për të ulur nivelin e stresit. Kamomili përmban apigenin, një përbërës që ka efekte që luftojnë ankthin. Një studim zbuloi se pacientët që përjetonin shpesh herë ankth treguan përmirësime nga marrja e ekstrakteve të kamomilit nëpërmjet kapsulave. Më efektiv se efekti që pacientët përjetuan kur morën pilula pa medikament.

Për sistem imunitar të fortë

Një studim i publikuar nga Revista e Kimisë së Bujqësisë dhe Ushqimit doli në përfundimin se konsumimi i çajit të kamomilit rrit komplekset antibakterialë në trup. Studiuesit mendojnë se kjo është arsyeja se pse konsumi i rregullt i kamomilit lufton ftohjet.

Kamomili ndër të tjera përdoret edhe për kurimin e dhimbjeve të stomakut, të barkut dhe si vaj për të kuruar plagët, ekzemat dhe linë e dhenve. Por studimet për këto veti kuruese të kamomilit janë ende të pakta./AgroWeb.org

SHARE