VON DER LEYEN ZGJEDH EKIPIN E RI

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen emëroi të martën ekipin e saj të ri, i cili do të drejtojë institucionet më të rëndësishme europiane për 5 vitet e ardhshme. 

Von der Leyen emëroi të martën Teresa Ribera të Spanjës si komisioneren e ardhshme antitrust të bllokut, ndërsa Kaja Kallas e Estonisë do të jetë përgjegjëse për politikën e jashtme.

Andrius Kubilius i Lituanisë do të jetë komisioneri i parë i mbrojtjes i BE-së – një rol i ri i krijuar për të ndërtuar kapacitetin e prodhimit ushtarak evropian përballë agresionit rus në krahun lindor të Evropës.

Komisioni është institucioni më i fuqishëm i 27 vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai ka fuqinë të propozojë ligje të reja të BE-së, të bllokojë bashkimet midis kompanive dhe të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë.

Çdo vend anëtar i BE-së do të ketë një vend në tryezën e Komisionit, një rol i krahasueshëm me një ministër të qeverisë, megjithëse pesha e tij politike ndryshon shumë në varësi të portofolit.

Emra të tjerë në listën e Komisionerëve të BE përfshijnë Ministrin e Jashtëm francez, Stephane Sejourne, përgjegjës për strategjinë industriale, ndërsa Maros Sefcovic i Sllovakisë do të mbikëqyrë politikat tregtare.

Të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen seancave dëgjimore me ligjvënësit në Parlamentin Evropian, të cilët duhet të vulosin emërimin e tyre.

Von der Leyen tha se Komisioni i ri do të fokusohet në prosperitetin, sigurinë dhe demokracinë, si dhe konkurrencën shumë të nevojshme për tranzicionin e gjelbër dhe dixhitalizimin.

“Ne duam të ndërtojmë një ekonomi konkurruese, të dekarbonizuar dhe rrethore me një tranzicion të drejtë për të gjithë,” tha ajo në një konferencë shtypi. Ndryshimi i klimës “është sfondi kryesor i gjithçkaje që po bëjmë,” shtoi von der Leyen.

Por, krahasuar me mandatin e saj të parë pesëvjeçar, “tema e sigurisë, e shkaktuar nga lufta ruse në Ukrainë, por edhe tema e konkurrencës, kanë … shumë më tepër ndikim në përbërjen dhe dizajnin” e ekipit të ri, tha ajo.

SHARE