SPAJIQ: GUARDIA DI FINANZA ITALIANE DO TË NA NDIHMOJË TË ZBULOJMË PARATË E PISTA

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq tha se ligjet duhet të përmirësohen vazhdimisht dhe theksoi se qëllimi i Qeverisë është lufta e suksesshme dhe efektive kundër korrupsionit.

Ai në konferencën për media tha se nuk bëhet fjalë vetëm për ligjet, por edhe për zbatimin.

Ai tha këtë pas një takimi me koordinatorin e Departamentit të Shtetit për luftën globale kundër korrupsionit, Richard Nephew.

Spajiq tha se janë duke bashkëpunuar me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke thënë se po bëhen përpjekje të veçanta për konfiskimin e pasurisë së fituar me krim dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe konfiskimit të pasurisë së padeklaruar.

Ai tha se Guardia di Finanza italiane do ta ndihmojë Malin e Zi në përgjithësi në luftën kundër mafies dhe zbulimin e parave të pista.

Nephew tha se Mali i Zi është një aleat i vlefshëm i NATO-s dhe se SHBA është gati të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit. Ai theksoi se është korrupsioni në veçanti ai që minon demokracinë.

Nephew tha se SHBA-ja ka investuar 25 milionë dollarë në forcimin e sundimit të ligjit në Mal të Zi që nga viti 2018.

“Shpresojmë për ligje edhe më të mira dhe i përgëzoj të gjithë për rezultatet”, theksoi zyrtari amerikan.

Nephew shprehet se është e rëndësishme të theksohet vettingu, si një formë e kontrollit të denjësisë së zyrtarëve gjyqësorë për të kryer detyrën.

Ai theksoi se duhet bërë gjithçka që të ndalet ndikimi politik në sektorin e drejtësisë.

Çdo ndërhyrje e Qeverisë në atë sektor, siç tha ai, nuk është mesazh i mirë.

Spajiq tha se puna për ligjet duhet të jetë e vazhdueshme dhe pas IBAR duhet të punohet në korrigjime dhe përmirësime.

“Të gjithë presim lajme pozitive për IBAR-in”, tha Spajiq.

Kryeministri shprehet se shpreson që përmes komunikimit intensiv me partnerët shtetërorë të arrihen zgjidhjet më të mira për legjislacionin për konfiskimin e pasurisë së fituar me krim.

SHARE