Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, ka vizituar dje Ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë, pas takimeve të shumta dhe produktive me zyrtarë të lartë të Kosovës.
Ai u takua me përfaqësues të shquar të komunitetit malazez – Llazar Radulloviq, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Zoran Vukadinoviq, kolonel i Ushtrisë së Malit të Zi në misionin e KFOR-it.
Zëvendëskryeministri Gjeloshaj diskutoi me zëvendësministrin Radulloviq për pozitën e komunitetit malazez në Kosovë, si dhe për mundësitë e rritjes së vizibilitetit të tyre në autoritetet qendrore dhe lokale.
Ndërsa me kolonelin Vukadinoviq ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në veçanti ka falënderuar për kontributin e madh që profesionistët e Ushtrisë së Malit të Zi japin në misionin e KFOR-it.
Në fund, zëvendëskryeministri u takua me stafin e Ambasadës së Malit të Zi, të cilët i falënderoi për punën e palodhur gjatë këtyre viteve.