Omletë me Spinaq, Domate dhe Djathë të Bardhë

Omleta është nga ato receta që gatuhet në çdo cep të globit, e megjithatë , kur dëgjon për të  përfytyron  ushqimin francez më të shijshëm e të butë si pupël.

Gjurmët më të para të omletës besohet të jenë gjetur në Francë diku në vitet 1600.

Historianët thonë se gjatë marshimit në jug të Francës, Napoleon Bonaparte dhe ushtria e tij ndaluan në qytezën Bessieres.

Një pronar bujtine i gatoi Bonapartit një omletë. Ai u befasua aq shumë nga shija sa urdhëroi të gjithë banorët e qytezës të dorëzonin të gjitha vezët dhe të përgatisnin omletë për të gjithë ushtrinë.

Siç e thamë më lart, omleta tani gatuhet kudo në botë dhe secili prej këtyre vendeve e bën atë gjithnjë e më interesante.

Omletë Me Spinaq Dhe Djathë Feta

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni recetën e omletës siç e gatuajnë popujt e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është ndryshe nga klasikja.

Spinaqi dhe djathi janë dy përbërës me të cilët nuk mund të gabosh në gatimin e një omlete.

Përbërësit:

  •  2 grushta spinaq me gjethe të vogla
  • 1 lugë gjelle qepë të kuqe të prera në copa
  • Gjysëm luge çaji hudhër të grirë
  • 2 lugë gjelle domate të prera në copa dhe të pastruara nga farat.
  • 2 vezë
  • 2 lugë gjelle qumësht
  • Gjysëm filxhan çaji djathë feta të copëtuar.

Përgatitja:

Tiganisni spinaqin, qepët dhe hudhrët për rreth 4 minuta deri sa qepët të jenë pak krokante.

Më pas shtoni copat e domateve dhe përziejini me lugë druri.

Ndërkohë rrihni vezët dhe qumështin dhe hidhjani sipër fërgesës duke i dhënë formën e duhur dhe sheshuar me lugën e gatimit.

Kur omleta të jetë duke u mpiksur, hidhni 3 lugë gjelle djathë dhe kur ajo të jetë bërë hiqeni tiganin nga zjarri.

Paloseni omletën në dysh dhe hidheni në pjatë dhe më pas shtoni edhe pak djathë.

SHARE