ESCOBAR OPTIMIST PËR NJË ZGJIDHJE PAQËSORE MES KOSOVËS DHE SERBISË

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret takim produktiv në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të shtunën, më 18 mars.

“Jam shumë optimist për një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Escobar.

“Ne kemi për qëllim të mbështesim çdo rezultat që sjell më afër paqen e rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë, si dhe gjithë rajonin, që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euro-atlantik. Mendojmë që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, jep një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve”, tha ai.

Ai, mes tjerash tha se “SHBA-ja si mbështetësja më e madhe e Kosovës në botë, ka për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe rajonin, që të zhbllokohen burimet që Ballkani ia siguron vetes”.

Presidentja Osmani tha se Kosova shkon drejt Ohrit me mendësinë se një “marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Zëvendës ndihmës Sekretarin e SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në këtë takim u diskutua për takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim. Kurti falënderoi Escobarin për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të SHBA-së në dialog.

“Propozimi evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

SHARE