MBËSHTETJE PËR MALIN E TI QË TË BËHET ANËTARI I ARDHSHËM I BE-së

Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor do të jetë në fokus të punës së Qeverisë Federale të Gjermanisë, gjë që vërtetohet nga fakti se ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, përfshiu integrimin evropian të këtij rajoni në tre prioritetet kryesore të punës së saj.

Ky është konkludimi nga takimi i ministres së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq Gjuroviq, me Grupin Parlamentar për Bashkëpunim të Bundestagut me vendet e Evropës Juglindore.

“Ne jemi këtu për të njohur Malin e Zi dhe për të gjetur një mënyrë për t’ju mbështetur që të bëheni anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Duhet të punoni në ndërtimin e institucioneve, veçanërisht atyre gjyqësore, dhe të përparoni në fushën e sundimit të ligjit për të mbajtur të rinjtë në Mal të Zi, por edhe për të tërhequr investitorë”, tha Thomas Hacker nga Partia e Lirisë (FDP).

Ministrja Novakoviq Gjuroviq i informoi deputetët gjermanë për gjendjen aktuale në fushën e integrimeve evropiane, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së mjedisit.

“Sundimi i ligjit është parakusht për të gjitha proceset e tjera në shoqëri, dhe kompletimi i institucioneve më të rëndësishme është baza për përparim në atë fushë. Pres që Kuvendi të votojë për të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është për përshpejtimin e të gjitha reformave të tjera në shoqëri”, tha Novakoviq Gjuroviq.

Ajo shtoi se qeveria merr mbështetje të konsiderueshme, por edhe kritika konstruktive nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare. Ajo theksoi se Mali i Zi është plotësisht i harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së dhe se nuk ka dhe nuk do të ketë ndryshime në këtë drejtim.

SHARE