ZYRTARËT E LARTË TË SHQIPËRISË MESAZHE URIMI PËR DITËN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

Zyrtarët e lartë të Shqipërisë, presidenti Ilir Meta, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama, kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Presidentin Meta në urimin e tij të publikuar në rrjetet sociale shkruan “Gëzuar Kosovë e dashur”. “Mirënjohje përjetë heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës. Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës”, ka shkruar më tej Meta. Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. “Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzimi i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri e sovranitet. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj e strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, thuhet në mesazhin e Nikollës, publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Më tej Nikolla thekson se Shqipëria ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në mbështetje të Republikës së Kosovës sipas saj “për përballimin e sfidave të saj, përshpejtimin e zhvillimit, rritjen e mirëqenies, avancimin drejt integrimin euroatlantik dhe rritjen e njohjeve ndërkombëtare.” Edhe kryeministri Rama ka publikuar një mesazh urimi në rrjetet sociale, duke shkruar “Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës”.

SHARE