Në seancën e ardhshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi do të shqyrtohet edhe propozimi i Ligjit për plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale. Sipas këtij propozimi, që hyri në procedurën parlamentare muajin e kaluar, parashihet shtyrja e datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Ulqin dhe Berane. Në vend të marsit zgjedhjet do të mbahen në fund të majit, respektivisht në të njëjtën ditë kur do të organizohen edhe zgjedhjet lokale në 12 komuna të Malit të Zi.