PBB 5 MILIARDË PËR HERË TË PARË, RRITJA E PAGAVE DO TË NDJEKË NORMËN E INFLACIONIT

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik Dritan Abazoviq tha se rezultatet ekonomike të Qeverisë janë mbresëlënëse dhe bëri të ditur se më 1 janar 2023 Fondi i Shëndetësisë nuk do të ketë borxhe. Kryeministri Abazoviq tha se rezultatet ekonomike të Qeverisë së Malit të Zi janë mbresëlënëse dhe shtoi se PBB-ja do të kalojë 5 miliardë euro për herë të parë në histori. Ai vuri në dukje se ekonomia malazeze do të rritet me 7.7% këtë vit. “Ky buxhet është më i madhi që ka pasur ndonjëherë Mali i Zi, për herë të parë kemi rritje të njëhershme të pagave në administratën publike, arsim, polici dhe shëndetësi dhe përfitimet sociale janë në maksimum historik dhe janë për 45 milionë euro, më i lartë se vitin e kaluar…. Ne konsideruam se duhet t’i përgjigjemi inflacionit duke i mbështetur qytetarët”, tha Abazoviq dhe theksoi se “më e rëndësishmja për ne është standardi i jetesës së qytetarëve”. Buxheti kapital, siç tha ai, nëse përjashtohet autostrada është më i madhi ndonjëherë. “Situata nuk është perfekte, por është larg nga errësirat që dikush dëshiron ta lidh me Malin e Zi. Ne po shënojmë parametra të mirë në vitin 2022 dhe po krijojmë supozime se trendi i rritjes së aktivitetit ekonomik do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm”, tha Abazoviq dhe u bëri thirrje deputetëve që të votojnë buxhetin.

Damjanoviq: Rritja e pagave do të ndjekë normën e inflacionit

Ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq tha se falë kësaj qeverie është arritur rritje e lartë ekonomike, e cila, siç tha ai, na jep hapësirë ​​shtesë për të hyrë me optimizëm në vitin e ardhshëm, pavarësisht nga pritjet globale dhe recesioni i paralajmëruar. Ai tha se të hyrat buxhetore i kanë planifikuar në mënyrë konservative. “Të hyrat buxhetore i kemi planifikuar me kujdes maksimal dhe kjo është ajo që duhet të arrihet nëse nuk ka shqetësime serioze globale. Ka hapësirë ​​shtesë për të punuar në zgjerimin e potencialit ekonomik përmes ligjeve dhe masave të tjera”, tha Damjanoviq. Ai shton se rritja e pagave në sektorin real do të pasojë rritjen e inflacionit. “Në vitin 2024 dhe 2025 duhet të vijmë në një situatë ku të gjitha shpenzimet i financojmë nga të ardhurat tona”, tha Damjanoviq në një konferencë për shtyp. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se sa do të rriten pagat në sektorin publik, mësimdhënësve, zjarrfikësve, policëve, Damjanoviq tha se janë duke u negociuar me sindikatat përfaqësuese dhe përfaqësuesit e marrëveshjeve kolektive të degëve. “Gjatë javës do të përfundojnë ato bisedime. Masa e ruajtjes së standardit është në nivel ose mbi normën e inflacionit. Derisa të përfundojnë negociatat me sindikatat përkatëse, nuk dua të paraqes shifra konkrete”, tha Damjanoviq.

SHARE