Italia është përfshirë nga një valë protestash studentore dhe grevash në shkolla, me demonstrata nga veriu në jug të vendit, pushtime të institucioneve arsimore dhe përplasje me forcat e rendit.
Protestat e 16 tetorit, të organizuara në kuadër të lëvizjes “No Meloni Day”, kundërshtojnë politikat arsimore të qeverisë së Giorgia Melonit, kostot e larta të jetesës dhe kushtet në shkolla.
Në Romë, protestues të maskuar hodhën bomba artizanale dhe fishekzjarrë drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa në Padova policia kontrolloi banesat e 14 të rinjve, të dyshuar për planifikimin e akteve të dhunshme, përfshirë hedhjen e koktejeve molotov.
Tensione dhe incidente u regjistruan edhe në Verona, ku u dogjën kazanë mbeturinash, si dhe në Torino, ku protestuesit u përleshën me policinë, një efektiv mbeti i plagosur dhe një 17-vjeçar u arrestua.
Sipas raportimeve, dhjetëra shkolla në qytete të ndryshme, përfshirë Romën, Torinon, Milanon, Napolin dhe Bolonjën, janë pushtuar nga nxënësit dhe studentët.
Në të njëjtën ditë, dy sindikata shpallën mobilizimin e personelit arsimor, duke rritur rrezikun e ndërprerjes së mësimit në disa zona të vendit.








