KKSH: REAGIM PUBLIK KUNDREJT THIRRJEVE RACISTE KUNDËR SHQIPTARËVE NË NDESHJEN SPORTIVE

Në redaksinë e TV Boin ka mbërritur një reagim publik nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve lidhur me situatën e fundit të ndodhur në ndeshjen sportive të futbollit në Mal të Zi.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë:

Në ndeshjen e futbollit të kategorisë së parë në Mal të Zi, të zhvilluar dje ndërmjet skuadrave të Grbalj të Kotorrit dhe Otrantit të Ulqinit, ishim dëshmitarë dhe ridëgjuam sërish nga grupe të tifozëve të skuadrës pritëse, klithma histerike me përmbajtje raciste kundër shqiptarëve si: “ Vritni, therni, që shqiptari të mos ekzistojë”, këto thirrje rishfaqen jo rrallë herë në arenat sportive në Mal të Zi dhe jo vetëm, janë identike me ato që kemi dëgjuar po thuajse para 10 viteve, në ndeshjen ndërmjet kombëtarës së Serbisë dhe Shqipërisë me 14 tetor 2014 të zhvilluar në Beograd. Fatkeqësisht ripërseriten e ripërseriten! Siç duket emancipimi, integrimi e toleranca ndër etnike te ne, ecin me hapin e breshkës ose bëjnë një hap para e dy prapa.

Nga ana tjetër siç duket për kultivimin dhe ripërtëritjen e frymës së urrejtjes dhe intolerancës luajnë rrol shumë aktor e faktor të cilat funksionojnë sot në shoqërinë tonë dhe ndihen komod në misionin e tyre.

Për ne, si institucion përfaqësues i shqiptarëve në Malin e Zi, shfaqe të tilla  janë shqetësuese, janë tregues të intolerancës e urrejtjes ndëretnike që ekziston në radhët e shoqërisë tonë, pavarësisht prej nga vijnë janë apsolutisht të pa pranushme dhe të denueshme.

Po ashtu kërkojmë që fenomene dhe shfaqe të tilla të urrejtjes me baza etnike  të denohen fuqishëm dhe qartë nga të gjitha institucionet e sistemit, duke filluar nga Federata e Futbollit e Malit të Zi, Mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të njeriut i Malit të Zi-Ombudsmani, institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtare me mision në Mal të Zi.

Urojmë e kontribuojmë që vendi ynë të integrohet në familjen e vendeve të zhvilluara përendimore, duke lënë pas fenomene e klithma të tilla nga fantazmat e të kaluarës që të mos rishfaqen në të ardhmen, por përderisa ato rishfaqen ne jemi këtu për të reaguar dhe për ti denoncuar.

SHARE