Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për krijimin e një “Këshilli Evropian të Sigurisë” dhe një protokolli të përbashkët emergjent të sigurisë në BE, i cili do të kërkonte që të gjitha vendet anëtare të mblidhen kur ndodh një incident sigurie.
Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian, Von der Leyen tha se institucionet e sigurisë dhe mekanizmat vendimmarrës të Evropës nuk kanë ecur me ritmin e ndryshimit të kërcënimeve, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe janë shtuar kërcënimet e dyshuara hibride ruse ndaj vendeve evropiane.
Ajo tha se BE-ja ka nevojë për një “manual kundër-hibrid” dhe për një mënyrë të përbashkët reagimi ndaj incidenteve që mund të jenë nën pragun e agresionit të armatosur, por që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Sipas propozimit, një shtet anëtar do të mund të aktivizonte mekanizmin, pas së cilës të gjitha vendet e BE-së do të mblidheshin për të koordinuar reagimin evropian, për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të kufizuar pasojat e incidentit.
Von der Leyen theksoi se ky mekanizëm do të plotësonte, dhe jo do të zëvendësonte, bashkëpunimin ekzistues me NATO-n.
Ajo njoftoi gjithashtu se do të paraqesë propozime për funksionalizimin e Këshillit të Sigurisë Evropiane, ku krahas vendeve të BE-së do të përfshiheshin partnerë si Kanadaja, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia.
Duke folur për Lindjen e Mesme, Von der Leyen dënoi projektin izraelit për zgjerimin e vendbanimit E1 në Bregun Perëndimor dhe tha se vuajtjet në Gaza dhe dhuna në Bregun Perëndimor kanë prekur thellësisht evropianët.
Ajo theksoi se Evropa duhet të mbajë gjallë perspektivën e zgjidhjes me dy shtete, duke nënvizuar njëkohësisht të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe të drejtën e palestinezëve për të jetuar në siguri dhe dinjitet.
Në pjesën për migracionin, presidentja e KE-së përmendi situatën në Ceuta, ku mijëra emigrantë tentuan të kalojnë kufirin, dhe akuzoi trafikantët dhe kontrabandistët për shfrytëzimin e personave të cenueshëm.
Ajo tha se edhe kundërshtarët e Evropës po shfrytëzojnë lëvizjet migratore dhe se BE-ja ka propozuar sanksione ndaj trafikantëve.
Von der Leyen njoftoi edhe një instrument të ri evropian për reagim ndaj emergjencave, i cili do të aktivizohej vetëm në rrethana të përcaktuara qartë dhe do të mundësonte fleksibilitet të kufizuar në procedurat standarde.
Von der Leyen foli edhe për respektimin e vlerave evropiane, duke dënuar glorifikimin e kriminelëve të luftës pas funeralit të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, në Beograd.
“Glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në Bashkimin Evropian”, deklaroi ajo.








