BE, 14 MILIARDË EURO BALLKANIT: NDIHMË, POR ME KUSHTE

Deputetët e Parlamentit Europian u dhanë dritën jeshile paketës së re financiare prej 14,2 miliardë euro për shtatë shtetet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së. Këto para do të ndahen për Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e zi, Serbinë dhe Turqinë për një periudhë shtatëvjeçare deri në vitin 2027. Fjala është për fonde që do t`i ndihmojnë këto shtete të kryejnë reformat e kërkuara në procesin e para anëtarësimit. Por, risi kësaj radhe është rritja e rolit të Parlamentit Europian për të kontrolluar shfrytëzimin e këtyre fondeve dhe mundësia që ato të zvogëlohen, apo edhe të pezullohen, për ato shtete të cilat nuk do të respektojnë parimet e sundimit të ligjit. “Qëllimi i përgjithshëm i IPA III është të mbështeten këto vende në miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike për tu përshtatur me vlerat e BE-së dhe gradualisht të inkuadrohen me ligjet, standardet dhe politikat e BE-së”, thuhet në deklaratën e PE-së. Parlamenti kësaj radhe e ka bërë të qartë se nuk do të hezitojë që të pezullohet ndihma e cila do të kushtëzohet me sundimin e ligjit nga këto vende kandidate dhe kandidate potenciale. “Ky fond, gjenerata e tretë e IPA, mund të zvogëloj apo pezulloje asistencën nëse respektimi i vlerave themelore – demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit shënon përkeqësim. Si pasoje shfrytëzimi i fondeve nga IPA do të kushtëzohet me respektin e këtyre vlerave nga ana e shtetit përkatës”, ka paralajmëruar Parlamenti Europian.

SHARE