POLITIKA E SPASTRIMEVE ETNIKE NË SERBI, OPOZITA E SERBISË KËRKON SHKARKIMIN E MINISTRES PAUNOVIQ

Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar shkarkimin e ministres Snezhana Paunoviq, pas deklaratës së saj në një intervistë televizive, ku tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës.

Reagime të ashpra erdhën edhe nga Bashkimi Evropian, i cili theksoi se “në Evropë nuk duhet të ketë vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik”.

Deputeti i Parlamentit Evropian, Sandro Gozi, deklaroi se “Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që anëtarë të qeverisë së saj ringjallin retorikën dhe ideologjinë e epokës së Millosheviqit”.

Pas reagimeve të forta, Snezhana Paunoviq publikoi një deklaratë, ku në vend që të distancohej nga fjalët e saj, theksoi se “nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë”, e cila, sipas saj, e udhëhoqi vendin në rrethana historike jashtëzakonisht të vështira.

Në mbrojtje të koleges së tij doli edhe zëvendëskryeministri Ivica Daçiq, i cili i cilësoi kritikat ndaj ministres si hipokrite. Ai shtoi se, sipas tij, “në Kosovë është kryer spastrim etnik ndaj serbëve”, por se kjo, sipas tij, “nuk i intereson askujt”.

Ndërkohë, një pjesë e opinionit publik në Serbi vlerëson se deklarata të tilla synojnë të largojnë vëmendjen nga zhvillime të tjera politike dhe shoqërore në vend.

SHARE