Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq hapi Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Kotorr.
Gjatë Samitit, liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës diskutuan mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
„Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet një sinjal të qartë të përkushtimit të Bashkimit Evropian (BE) për transformimin ekonomik dhe demokratik të këtyre vendeve,“ tha kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.
„Ju ftoj të përfitoni nga kjo mundësi historike për Ballkanin Perëndimor, për ta parë Planin e Rritjes si pjesë e një vizioni më të gjerë për një të ardhme më të mirë për rajonin tonë dhe për Bashkimin Evropian në tërësi,“ theksoi Spajiq.
Në samitin e organizuar nga Spajiq, përveç liderëve të rajonit, muaren pjesë edhe Komisionari Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheli dhe ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
O’Brien tha se prioriteti i Planit të Rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor është krijimi i një tregu të vetëm të qarkullimit të parasë, zvogëlimi i kostove, lehtësimi i lëvizjes së tregut dhe krijimi i më shumë vendeve të punës:
“Mesazhet e Planit janë që për çdo pjesëmarrës, mesazhi është i qartë – bëje punën tënde dhe mos kërko nga dikush tjetër të bëjë diçka më parë, për të bërë tënden”.
Varheli tha se Plani i Rritjes nuk është më një draft, por një udhërrëfyes, i cili është i dobishëm për rajonin përpara se të anëtarësohet në BE:
“Për shkak të Planit të Rritjes dhe intensitetit të ndihmës nga plani ekonomik dhe investues, agjenda e reformave dhe ndihmës financiare shtesë deri në vitin 2027, Ballkani do të jetë gati, ose mund të jetë gati, ose mund të bëhet gati për t’u anëtarësuar në BE”.
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, tha se vendi ra dakord për 110 reforma nga 113 që ishin propozuar fillimisht nga BE-ja.
“Rruga evropiane është synimi kryesor i politikës së jashtme, për të cilën ka një konsensus në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Krishto.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar përkushtimin e tij për reformat që duhet të bëhen për të zbatuar Planin.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Është koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital të Evropës. Individualisht, ne të gjithë u përfshimë dhe synojmë të jemi gati deri në vitin 2027”.
Ai theksoi bashkëpunimin në fushën e migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, “jo vetëm midis rajoneve, por edhe midis rajoneve dhe BE-së”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Plani i Rritjes do të sjellë rezultate të mira në rajon:
“Ne vlerësojmë dhe jemi mirënjohës për paratë, por më të rëndësishme se paratë, janë reformat strukturore që duhet të zbatojmë dhe këtë e vlerësojmë shumë.“
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, konfirmoi se janë të përkushtuar për reformat evropiane, duke vlerësuar se për suksesin e formimit të tregut të përbashkët, është i nevojshëm zhbllokimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.