DUKAJ-GASHPARIKOVA: VAZHDIMI I BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E REFORMËS SË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Mal të Zi reflektohet në projekte të përbashkëta cilësore të realizuara në periudhën paraprake, ndërsa bashkëpunimi dinamik do të vazhdojë edhe në të ardhmen, u tha në takimin zyrtar ndërmjet Ministrit të Administratës Publike Marash Dukaj dhe Përfaqësueses së Përhershme të UNDP-së në Mal të Zi, Daniela Gashparikova. Ministri Dukaj posaçërisht theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me UNDP-në në fushën e reformës dhe digjitalizimit të administratës publike përmes projekteve “Mbështetje për krijimin e një administrate publike më transparente, efikase dhe të orientuar drejt shërbimeve” dhe “Shërbimet elektronike dhe infrastruktura digjitale si përgjigje kundër Covid-19”, financuar nga Bashkimi Evropian. Rezultati i bashkëpunimit është përshpejtimi i transformimit digjital të administratës publike në Mal të Zi, duke mundësuar ofrimin efikas të shërbimeve digjitale që plotësojnë nevojat e qytetarëve dhe ekonomisë. Kjo thjeshton procedurat, rrit transparencën e procesit dhe përmirëson efikasitetin e administratës publike. “Prioriteti i Ministrisë së Administratës Publike është krijimi i drejtimeve strategjike të zhvillimit në drejtim të reformës së administratës publike dhe transformimit digjital si dhe rritja e transparencës, barazisë, aksesueshmërisë së administratës publike, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë lokal, të karakterizuara nga besimi në rritje i publikut në punën e saj dhe afrimin e standardit dhe nivelit të vendeve anëtare të BE-së”, tha ministri Dukaj. Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP Gashparikova shprehu kënaqësi me gatishmërinë për të vazhduar partneritetin e suksesshëm, veçanërisht në fushat e reformës së administratës publike, forcimit të kapaciteteve të vetëqeverive lokale dhe krijimit dhe zhvillimit të e-Qeverisjes. “Qytetarët presin që shërbimet publike në të gjitha nivelet të jenë të aksesueshme, të shpejta, të thjeshta dhe ekonomike. Administrata publike e përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të kuptojë nevojat e qytetarëve dhe ekonomisë dhe të sigurojë një sistem efikas, duke pasur parasysh mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit”, tha ajo.

SHARE