HOXHA: PLATFORMË PËR REGJISTRIMIN VULLNETAR TË SHQIPTARËVE JASHTË VENDIT

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në Samitin e IV të Diasporës ka prezantuar qasjen e re të Shqipërisë ndaj diasporës, duke e cilësuar atë si një nga faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe procesin e integrimit europian.

Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se diaspora duhet parë si “një Shqipëri jashtë kufijve”, duke nënvizuar se qëllimi i strategjisë së re 2026–2030 nuk është kthimi fizik i emigrantëve, por përfshirja e tyre aktive në zhvillimin e vendit përmes bashkëpunimit me institucionet.

Ai tha se Shqipëria ka nevojë për një qasje më praktike, me masa konkrete dhe të matshme, duke lënë mënjanë vetëm deklaratat.

Ministri bëri thirrje për bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes shtetit dhe diasporës, duke e cilësuar zhvillimin e vendit si një përgjegjësi të përbashkët në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ai theksoi gjithashtu se strategjia e re do të jetë e lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian, i cili sipas tij mbetet korniza kryesore e çdo politike shtetërore.

Hoxha ngriti si sfidë mungesën e një harte të plotë të diasporës dhe njoftoi punën për krijimin e një atlasi dhe një platforme regjistrimi vullnetar të shqiptarëve jashtë vendit.

Ndër shtyllat kryesore të strategjisë ai përmendi përfshirjen institucionale, të drejtën e votës dhe përfaqësimit, forcimin e identitetit kulturor dhe zhvillimin ekonomik të lidhur me diasporën.

SHARE