Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka uruar të gjithë besimtarët ortodoks për festën e Pashkëve.
“Gëzohuni. Së bashku përhapim dashurinë, vlerat universale dhe luftojmë për drejtësi, një njerëzim më të mirë e më të drejtë”, tha kryeministri në mesazhin e tij të shkurtër të Pashkëve nga manastiri i Patriarkanës së Pejës, ku qëndroi dje, në kuadër të një vizitë pune në Republikën e Kosovës.
Simbolika e përjetshme e këtyre ditëve të shenjta le të krijojë vullnetin e mirë tek të gjithë ne dhe të shërbejë si themel për unitetin dhe mirëqenien e vendit dhe shoqërisë sonë, tha presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në mesazhin e tij të urimit me rastin e festës më të madhe të krishterë – Pashkëve.
“I uroj nga zemra të gjithë besimtarët ortodoks për festën më të madhe të krishterë të Ngjalljes së Krishtit,” – tha presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
“Misteri i ringjalljes përfaqëson fitoren përfundimtare të dashurisë mbi urrejtjen, duke inkurajuar individët dhe komunitetet për drejtësi, humanizëm, solidaritet dhe respekt të ndërsjellë. Kjo festë na kujton vlerat etike universale, përmes të cilave afrohemi më shumë me njëri-tjetrin”, tha Millatoviq.
Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, ka uruar për Pashkët Mitropolitin Joanikije, klerikët, murgjit dhe të gjithë qytetarët e besimit ortodoks në Mal të Zi.
“Pashkët, si festë e bashkimit jo vetëm të besimtarëve ortodoks, por të gjithë popullit në Mal të Zi, frymëzon që vendi ynë të vazhdojë të jetë shembull i harmonisë multikonfesionale dhe multietnike dhe bashkëjetesës harmonike të të gjithë qytetarëve të tij. E bindur se do të tregojmë mençuri dhe vendosmëri për të punuar për të mirën e qytetarëve, dëshiroj që Pashkët të jenë nxitje më e fortë për të vazhduar përmirësimin e Malit të Zi,” thuhet në urimin e Gjuroviq.