SOT NË QKI “MALËSIA” KOMUNA E TUZIT SHËNOI 78 VJETORIN E ÇLIRIMIT TË TUZIT

Sot, në QKI „Malësia“ në Tuz, me një ceremoni solemne komuna e Tuzit  shënoi 78 vjetorin e çlirimit të Tuzit nga forcat fashiste – duke kujtuar sakrificën dhe mundin e atyre që luftuan për çlirimin e qytetit të Tuzit.  Në këtë solemnitet, ku morën pjesë figura të shquara nga politika, biznesi, institucionet shtetërore dhe fetare, përveç programit artistik, u bë edhe ndarja e çmimit ,,15. Dhjetori – Dita e çlirimit të Tuzit”.

Për këtë vit Juria për ndarjen e çmimeve përzgjodhi si fitues, Dr. Halil Dukoviq – për kontributin në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe avancimit të zhvillimit shoqëror në Komunën e Tuzit. Gjithashtu, për nder të kësaj date, nënkryetari i Komunës së Tuzit, Z. Haris Ramoviq, vendosi lule në bustin e heroit – Mahmut Lekiq dhe në monumentin e ,,Ushtarëve të rënë” në Cem – Rakiq.

Kryetari  i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, uroi Ditën e Çlirimit të Tuzit, ku ndër të tjera tha: „Kujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin e vendit dhe për të na vendosur në anën e drejtë të historisë, aty ku Malësia ishte gjithmonë! Kujtojmë me krenari dinjitetin dhe luftën e të gjithë atyre që vazhduan të ishin kundër okupatorit të cilësdo ngjyrë dhe në mbrojtjen e të drejtës së popullit për jetë në liri. Veçanërisht duhet t’i kujtojmë sot, kur në zemër të Evropës, në Ukrainë, po ndodhë një luftë e tmerrshme ndërmjet atyre që me çdo kusht dëshirojnë ta mposhtin një komb të tërë me pretekst se dëshirojnë ta çlirojnë atë. Heroizmi i atyre që mbrojnë vendin e vet edhe kësaj radhe po shkëlqen! Si gjithmonë, jemi me të sulmuarin, e jo me sulmuesin!“

Nesër mbrëma, në rubriken AKTUALE, do të keni mundësi të ndiqni „Festimin e 15 Dhjetorit – Ditës së Çlirimit të Tuzit“ të mbajtur në QKI „Malësia“ në Tuz.

SHARE