Në organizimin e Shoqatës së Diabetikëve “Rrethi i Kaltër” Ulqin në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit sot është shënuar 14 Nëntori – Dita Botërore e Luftës Kundër Diabetit. Me këtë rast diabetikëve iu shpërndanë materiale promovuese për njohjen me diabetin, shirita, aparate për matjen e sheqerit dhe vitamina, si dhe u organizuan matje të sheqerit në gjak për të gjithë qytetarët e interesuar. Aksioni u mbështet nga kryetari i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari. “Na vjen mirë që kemi mundësi, përveç faktit që diabetikët janë të guximshëm, t’u tregojmë se nuk janë vetëm, se e kuptojmë luftën me të cilën ata luftojnë çdo ditë dhe ky është një shembull i shkëlqyer. Ky donacion që dhamë këtë vit nuk do të mungojë as në vitet në vijim, sepse ndihma jonë për diabetikët është një gjest i mirë dhe një shembull se si të mbështesim dhe ndihmojmë bashkëqytetarët tanë që vuajnë nga kjo sëmundje, veçanërisht ata që nuk mund t’i sigurojnë të gjitha barnat që duhet t’i përdorin nga buxheti i tyre”, tha kryetari i komunës, Omer Bajraktari. Kryetarja e shoqatës, Veneranda Gjonaj, theksoi se është shqetësues që numri i të sëmurëve po rritet dhe shumë njerëz nuk e dinë se e kanë këtë sëmundje, mes të cilëve ka edhe fëmijë dhe të rinj. Në këtë drejtim, ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të veprojnë në mënyrë parandaluese dhe të kontrollojnë sheqerin. Ajo në mënyrë të veçantë ka falënderuar për mbështetjen e kryetarit të komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, i cili, siç pohoi ajo, ka pasur mirëkuptim për të na ndihmuar që jeta jonë të jetë më e lehtë dhe pa dhimbje, për dallim nga paraardhësit e tij që nuk i kanë dëgjuar problemet tona shëndetësore.