Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit personal, të matura me indeksin e çmimeve të konsumit, në muajin tetor, krahasuar me shtatorin, kanë qenë mesatarisht 1.4 për qind më të larta, tregojnë të dhënat e Monstat. Në tetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet e konsumit ishin mesatarisht 16.8 për qind më të larta. “Ndikimin më të madh në normën mujore të inflacionit e ka pasur rritja e çmimeve në grupet qumësht, djathë dhe vezë, veshmbathje, mish, këpucë, mallra afatshkurtër për mirëmbajtje rutinore të amvisërive, parukeri dhe shërbime të tjera të kujdesit personal, pajisje të tjera, artikuj dhe produkte për kujdes personal, bukë dhe drithëra”, thanë nga Monstat. Në periudhën janar-tetor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e konsumit kanë qenë mesatarisht 12.2 për qind më të larta.