PUBLIKOHEN REZULTATET E REGJISTRIMIT TË POPULLSISË NË MAL TË ZI, SHQIPTARËT PËRBËJNË 4,97% TË POPULLSISË

Drejtori i Drejtorisë së Statistikave (Monstat), Mirosllav Pejoviq, në një konferencë për media njoftoi se në Mal të Zi jetojnë 623.633 banorë me vendbanim të zakonshëm në Mal të Zi.

Shumica e qytetarëve të Malit të Zi janë deklaruar si malazezë – 41,12 për qind ose 256,436 qytetarë.

Ata pasohen nga serbët me 32.93 për qind ose 205.370 qytetarë, ndërsa 9.45 për qind ose 58.956 qytetarë janë deklaruar boshnjakë. 4,97 për qind ose 30,978 janë deklaruar si shqiptarë, 2,06 për qind apo 12,824 qytetarë si rusë dhe 1,63 për qind ose 10,162 qytetarë si myslimanë. 2.88 për qind e qytetarëve ose 17.907 nuk kanë dashur të deklarohen.

Sipas të dhënave të Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave të prezantuara sot në konferencën e Drejtorisë së Statistikave (Monstat), 43,18 për qind e qytetarëve flasin gjuhën serbe, 34,52 për qind gjuhën malazeze, 6,97 për qind gjuhën boshnjake, 5,25 për qind gjuhën shqipe, 2,26 për qind gjuhën ruse, 2,08 për qind gjuhën serbo-kroate, ndërsa 1,71 për qind e qytetarëve nuk kanë dashur të deklarohen.

Rezultatet e regjistrimit të kryer në dhjetor të vitit të kaluar treguan se shumica e popullsisë në Mal të Zi i përkasin fesë ortodokse – 71,10 për qind. 19.99 për qind qytetarë i përkasin fesë islame, 3,27 për qind i përkasin fesë katolike, 2,29 për qind e qytetarëve janë deklaruar ateistë. Më shumë se 13 mijë qytetarë nuk kanë dashur të deklarohen për fenë e tyre.

SHARE