Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kandidatët që punësohen në administratën publike pa e pasur të dhënë provimin profesional do të kenë gjashtë muaj afat për ta kaluar atë, ndërsa në rast se nuk e përmbushin këtë kusht, marrëdhënia e tyre e punës do të përfundojë sipas ligjit.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, tha në Kuvend se ndryshimet e propozuara në Ligjin për nëpunësit dhe punonjësit shtetërorë janë të nevojshme në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe nevojës për më shumë kuadro në administratë.
Dukaj theksoi se provimi profesional nuk po hiqet, por kandidatëve do t’u mundësohet të fillojnë punën edhe para dhënies së tij, me detyrimin që ta kalojnë brenda gjashtë muajve nga punësimi.
Ndryshimet u kritikuan nga opozita, e cila ngriti pyetje nëse kjo masë i barazon kandidatët që e kanë kaluar tashmë provimin me ata që nuk e kanë dhënë.
Nga LQ URA u kërkua gjithashtu përmirësimi i pagave dhe kushteve të punës në sektorin publik, ndërsa u ngritën shqetësime edhe për dallimet në paga mes punonjësve të institucioneve shtetërore.









