SHBA NDRYSHON POLITIKËN NË BALLKAN / MBYLLET OMBRELLA AMERIKANE, FOKUSI TANI ËSHTË TEK EKONOMIA

Politika e re amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm: më shumë përgjegjësi për vendet e rajonit dhe më pak angazhim të drejtpërdrejtë nga Uashingtoni.

Fokusi zhvendoset nga ndërhyrjet politike dhe të sigurisë drejt bashkëpunimit ekonomik dhe partneriteteve me përfitim të ndërsjellë, thotë REL. Sipas ekspertëve, kjo qasje sjell mundësi për rritjen e përgjegjësisë lokale, por edhe rreziqe në një rajon ku institucionet mbeten të brishta dhe tensionet politike vazhdojnë.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina konsiderohen veçanërisht të ndjeshme për shkak të sfidave të brendshme dhe varësisë nga mbështetja ndërkombëtare në fushën e sigurisë. Dokumenti i ri i Departamentit amerikan të Shtetit thekson se ka përfunduar epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane. Në vend të saj, SHBA synon të mbështesë stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar që vetë liderët rajonalë të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve.

Ekspertja Heather Conley vlerëson se zgjidhjet e qëndrueshme duhet të burojnë nga vetë vendet e rajonit, pasi përpjekjet e jashtme për të imponuar marrëveshje kanë prodhuar rezultate të kufizuara. Megjithatë, ajo paralajmëron se mungesa e një strategjie të qartë dhe e mekanizmave të fortë mbështetës mund të fuqizojë aktorët nacionalistë dhe të korruptuar. Ndryshe nga qasja e viteve ’90, kur SHBA luajti rol vendimtar në përfundimin e konflikteve në Bosnje dhe Kosovë, politika e re duket se synon të reduktojë rolin tradicional amerikan si garantues i sigurisë, edhe pse kjo ka ngritur shqetësime, sidomos në lidhje me praninë amerikane në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Analistët paralajmërojnë se çdo zvogëlim i rolit amerikan mund të krijojë hapësirë për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon. Sipas tyre, Bashkimi Europian nuk ka ende kapacitetin politik dhe ushtarak për të zëvendësuar plotësisht SHBA-në në menaxhimin e krizave të sigurisë në Ballkan.

Pavarësisht ndryshimit të kursit amerikan, ekspertët theksojnë se Kosova dhe vendet e tjera të rajonit duhet të vazhdojnë reformat e brendshme, të forcojnë sundimin e ligjit dhe të ndërtojnë institucione funksionale.

SHARE