AMBASADRORJA E TURQISË SONGUL OZAN VIZITOI KOMUNËN E ULQINIT

Në periudhën e ardhshme presim një numër të madh të investimeve nga Turqia në komunën e Ulqinit, kanë thënë kryetari i komunës Omer Bajraktari dhe ambasadorja e Republikës së Turqisë në Mal të Zi Songul Ozan. Ajo erdhi në Ulqin e shoqëruar nga këshilltari për çështje ekonomike, koordinatori i TIKA-s në Mal të Zi dhe konsulli i nderit Sahret Hajdarpashiq. Bajraktari u tha gazetarëve në zyrën e tij se biseda ishte shumë konstruktive dhe konkrete, sidomos kur bëhet fjalë për projektet në fushën e infrastrukturës, turizmit, bujqësisë dhe energjetikës. “Prandaj, jam i bindur se marrëdhëniet tona do të jenë edhe më të mira në të ardhmen”, shtoi ai. Ambasadorja dhe Bajraktari biseduan me rreth 30 biznesmenë dhe ulqinakë të cilët kanë përfunduar studimet në Turqi, si dhe kanë vizituar disa monumente kulturore dhe historike të periudhës osmane që janë në pritje të restaurimit. “Ulqini është një qytet që ka shumë të përbashkëta me ne. Shpresoj që me administratën e re do të zhvillohet edhe më shumë”, theksoi Ozan. Ajo, është diplomatja e parë e huaj që viziton Ulqinin pasi kjo komunë fitoi pushtetin e ri lokal.

SHARE