Një komandant i lartë i Ukrainës deklaroi se forcat ushtarake ukrainase po tregojnë aftësinë e tyre për të pasur sukses në rrethana sfiduese në qytetin lindor të Bahmutit, ku po luftojnë për të zmbrapsur forcat ruse, teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky siguroi premtime për ndihmë më të madhe ushtarake gjatë turneut të tij nëpër kryeqytetet evropiane.
“Mbrojtja e Bahmutit vazhdon dhe ditët e fundit kanë treguar se Ukraina mund të ecë përpara dhe të kundërshtojë forcat ruse atje”, tha gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskiy.
“Trupat tona po përparojnë përgjatë Bahmutit, ky është operacioni i parë i suksesshëm sulmues në mbrojtjen e qytetit”, tha Syrskiy.
Sipas Syrskiy, forcat tokësore që ai komandon po luftojnë forcat ushtarake ruse dhe luftëtarët nga grupi privat paraushtarak Ëagner, të cilët kanë udhëhequr fushatën e Kremlinit për të pushtuar qytetin në rajonin e Donjeckut të Ukrainës në muajt e fundit, pavarësisht se kanë më pak burime në dispozicion.
“Ditët e fundit kanë treguar se ne mund të ecim përpara dhe të shkatërrojmë armikun edhe në kushte kaq të vështira”, shtoi ai. “Operacioni për mbrojtjen e Bahmutit vazhdon. Janë marrë të gjitha vendimet e nevojshme për mbrojtje”.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha një ditë më parë se ushtria ruse vazhdoi të përqendrojë përpjekjet e saj kryesore në rajonin e Donbasit, i përbërë nga rajonet Donjeck dhe Luhansk, në Liman, Bahmut, Avdivka dhe Marinka dhe se rreth 30 përleshje luftarake u zhvilluan në rajon në atë ditë. Bahmuti dhe Marinka janë identifikuar nga ushtria ukrainase si zonat kryesore të konfliktit, ku e para është përshkruar si “epiqendra e armiqësive”.
Përpjekjet e ushtrisë ukrainase për të depërtuar në Bahmut përkojnë me një ofensivë të pritur pranverore për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022.