MARRËVESHJA E BORDIT TË PAQES “ZVARRITET” NGA KOMISIONET PARLAMENTARE, DEPUTETËT KËRKOJNË SQARIME

Marrëveshja e Bordit të Paqes ende është në fazën e shqyrtimit nga komisionet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Të martën, komisioni për punë të jashtme ka marrë vendim të shtyjë këtë procedurë për shkak të nenit 2 të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes.

“Objektivi kryesor i Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare është promovimi i stabilitetit, rivendosja e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, thuhet në këtë nen, që sipas deputetëve duhet të specifikohet.

Fjalia e nenit dy, paragrafit dy, është problematike dhe nëse vazhdon të mbetet në projektligj pa u përmirësuar. Unë mendoj se në formulim ka probleme projektligji… Ne duhet të dimë cilën qeverisje po e rivendosim aty? Cilat konflikte po i referohemi? Aktualisht ka shumë konflikte në botë”, shprehet Arbërsha Kryeziu, deputete, LVV.

Ky është një bord që tejkalon përmasat evropiane dhe baza për t’u krijuar si i tillë ka të bëjë me një rajon që është jashtë Evropës”, thotë Ilmi Recica, deputet, PDK.

Anëtarët e komisionit u morën vesh që të nis punën një grup punues e të rikthehet për shqyrtim projektligji javën e ardhshme.

Në komisionin për punë të jashtme u ngritën edhe shqetësimet për vonesat në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, që sipas opozitës burojnë nga raporti i acaruar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ish-presidentes, Vjosa Osmanit.

“Ne e dimë që ka pasur dallime mes kryeministrit dhe ish presidentes për këtë çështje”, deklaroi deputeti i LDK-së, Lutfi Harizi.

Ndërkohë, të martën, Komisioni për Siguri miratoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e trupave ushtarake në Gaza si pjesë e marrëveshjes së Bordit të Paqes.

SHARE