Kosova ka hyrë në dy javët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet një president, vendi shkon detyrimisht në zgjedhje brenda 45 ditësh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas tryezës “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”, ka thënë se është në komunikim me kryetarët e partive opozitare.
“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, tha ai.
Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se negociatat për zgjedhjen e presidentit po vazhdojnë dhe zgjidhja do të varet nga vullneti i opozitës.
“Shumë më e rëndësishme është që ta kemi një president, kjo është e para, pastaj për emrin mund të pajtohemi mund ta gjejmë një konsensus mes subjekteve politike. Unë qysh e kam parë deri tash të dy subjektet politike nuk kanë qenë të vullnetshme me propozu emra, kjo është edhe arsyeja se jemi këtu ku jemi dhe nuk po më duket që deri tash kemi gjet një zgjidhje”, tha ai.
“Natyrisht duhet të besojmë në zgjidhje deri në fund janë edhe 12 apo 13 ditë deri në fund, por besoj që kryeministri tashmë besoj që do t’u drejtohet edhe një herë partive politike. LDK-ja ma ka lënë përshtypjen që do të takohet jo veç edhe njëherë nëse ka nevojë, por më shumë se një herë dhe ta gjejmë një zgjidhje për presidentin”, theksoi zëvendëskryeministri.








