ESCOBAR: KURTI MË PREMTOI SE DO TË SHQYRTOJË DISA NGA PROPOZIMET E MIA PËR DINARIN SERB

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shfaqi shpresën të enjten se qeveria e Kosovës do të gjejë një zgjidhje lidhur me përdorimin e dinarit serb, ndërsa theksoi se sfidat në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po sfidohen nga trajtimi i pakicës serbe në Kosovë.

Pas një takimi mëse dy orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara mbeten partneri më i qëndrueshëm dhe më i përkushtuar i Kosovës.

“Por, më duhet të pranoj se kjo marrëdhënie ka disa sfida tani. Dhe sinqerisht, këto sfida janë për shkak të trajtimit të pakicës serbe. Dhe është për të ardhur keq që ne duhet të kalojmë nëpër këtë. Vendimi i Bankës Qendrore ka shkaktuar një vështirësi reale për disa nga qytetarët e këtij vendi dhe ne jemi shumë të shqetësuar”, tha zoti Escobar duke nënvizuar se kjo është një çështje humanitare në zhvillim që duhet trajtuar menjëherë.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale se e ka falenderuar zotin Eskobar për mbështetjen amerikane dhe ka theksuar siç tha nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë. “Gjithashtu e informova atë për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin e Bankës Qendrore dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”.

Më herët gjatë ditës zoti Escobar tha se dëshiron që të punojë me qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur një zgjidhje urgjente për çështjen e dinarit serb pasi sipas tij, nga ky vendim po vuan komuniteti serb.

SHARE