Gjatësi dhe ngjyra të ndryshme dhe mbizotëron vetëm një
Mantelet e gjata ngjyrë “të shiut” janë rikthyer në modë!
Gjyshet dhe nënat tona i mbanin ato dhe kjo pjesë e modës universale dëshmon se tendencat ndryshojnë minimalisht dhe kthehen vazhdimisht.
Këtë pranverë do t’i shohim në rrugët anembanë botës, përfshirë edhe vendin tonë, aq më tepër që tashmë mund t’i gjeni edhe në vitrinat e dyqaneve, transmeton Telegrafi.
Manteli i punuar kryesisht nga pambuku dhe poliesteri, me jakë dhe mëngë të gjata me kopsa apo palosje, nxjerr një stil dhe ekuilibër të sofistikuar që mund të kombinohet me çdo gjë që dëshironi.
Përshtatet në mënyrë të përkryer me pantallona, mini funde, fustane, madje edhe me taka apo atlete më klasike.
Në dyqane, ato mund të gjenden në nuanca dhe gjatësi të ndryshme. Më së shumti mbizotëron ngjyra krem që është simboli i kësaj palltoje, por disponohet edhe në ngjyrën jeshile ulliri, blu dhe të zezë. Xhepat e mëdhenj përpara, çarja e pasme, rripi, kopsat dhe butonat janë vula e tyre personale. Në një mushama të gjatë me jakë dhe mëngë të gjata me fjongo do të jeni si një zonjë e vërtetë… Veç kësaj ato janë një veshje e shkëlqyer për këtë periudhë kalimtare.
Shihni disa prej tyre:
/Telegrafi/